Maqedoni Tetë dënime me kusht dhe një me burg për protestuesit e 5...

Tetë dënime me kusht dhe një me burg për protestuesit e 5 majit

Tetë prej gjithsej nëntë protestuesve që u akuzuan për dhunë gjatë protestave para qeverisë më 5 maj, sot në Gjykatën themelore Shkupi I janë dënuar me burg me kusht prej 3 muajve.

Dënimet me kusht nuk do të zbatohen nëse të dënuarit në afat prej 1 viti nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Njërit prej të akuzuarve i është shqiptuar masa e dënimit efektiv me burg prej 10 muajve sepse sipas gjykatës, kundër tij ka pasur edhe një procedurë tjetër për veprën e njëjtë penale.

Gjykata anuloi masën e arrestit për të gjithë të akuzuarit ndërsa njërit prej tyre i shqiptoi masë kujdes gjegjësisht e ka për obligim dy herë në muaj të paraqitet tek nëpunësi i autorizuar në gjykatë.

Nëntë protestuesit, që u akuzuan për pjesëmarrje në grup i cili ka penguar person zyrtar të kryej punën e tij zyrtare, para gjykatës u prononcuan si fajtor.

Ata para gjykatës njoftuan se pa dhunë dhe kërcënim e pranojnë fajin dhe se pendohen për veprimet e tyre.

Për 2 qershor në Gjykatën Themelore Shkupi I është caktuar gjykimi i grupit të të arrestuarve të parë në protestat e 5 majit.