Maqedoni Prokurorët e Janevës nuk u paraqitën në betimin solemn

Prokurorët e Janevës nuk u paraqitën në betimin solemn

Shtatë ndihmës- prokurorët e prokurores speciale Katica Janeva sot nuk u paraqitën për të dhënë betimin solemn për postin e tyre. Për këtë arsye gjithashtu nuk u mbajt seanca e Këshillit të prokurorëve publik. Në orën 11 për kur edhe ishte caktuar seanca nuk u paraqit asnjëri nga  prokurorët e emëruar e as prokurorja speciale.

Në ndërkohë, sot u desh të betohen solemnisht 7 prokurorët e zgjedhur të ekipit të prokurores speciale, Katica Janeva. Por, për shkak që Këshilli i Prokurorëve nuk i ka pranuar 14 prokurorët e propozuar nga Janeva, ajo ka bërë thirrje që edhe këto 7 prokurorët tjerë të mos e bëjnë betimin, dhe kështu ndodhi, prokurorët nuk prezantuan që të betohen para Këshillit të Prokurorëve, raporton “Meta”.

“Sot duhej të jepnin betimin 7 prokurorët ndihmës, por shohim se ata nuk kanë ardhur. Nga ministri i Drejtësisë morëm letër, nga ku kërkohet që të mbajmë seancë për zgjedhjen e 7 të tjerëve, por ne kemi sjellë vendim se duhet vetëm 7, por duhet theksuar se ne kemi edhe mungesë të prokurorëve, ne aq kemi mundësi”, ka thënë kryetari i Këshillit të Prokurorëve Petar Anevski”.

Anevski si arsyetim për vendimin e javës së kaluar sërish përmendi gjendjen e vështirë në të cilën gjendet Prokuroria publike, që sipas tij punon në kushte të vështira materiale dhe mungesë kuadri.

Të gjitha partitë politike kërkojnë zgjedhjen e 7 prokurorëve të mbetur, të cilët nuk i votoi Këshilli i Prokurorëve. Në takimin e mbrëmshëm, partitë politike kanë firmosur një letër drejtuar Ministrit të Drejtësisë Adnan Jashari, nga i cili kërkojnë t’i apelojë Këshillit të Prokurorëve për të votuar edhe pjesën e mbetur të prokurorëve. Gjithashtu, do t’i bëjnë thirrje edhe Gjykatës Kushtetuese që sa më shpejtë të marrë vendim për iniciativën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për Prokurorinë Speciale.