Maqedoni Ndarje mes Ahmetit dhe anëtarëve të partisë për partnerin e koalicionit

Ndarje mes Ahmetit dhe anëtarëve të partisë për partnerin e koalicionit

Jozyrtarisht, seanca e Kryesisë qendrore të BDI-së në Reçicë të Vogël ka filluar me ndarje të mëdha mes anëtarëve të partisë,  kështu që kreu i partisë Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt kanë dashur të vazhdojë bashkëpunimi me VMRO DPMNE-në ndërsa nënkryetarët nuk pajtohen me këtë vendim dhe janë për koalicion me LSDM-në.

Ndarje lidhur me koalicionin me VMRO ka pasur edhe në përbërjen e re të deputetëve të BDI-së. Por, deputetët që kanë qenë për koalicion me VMRO DPMNE-në nuk kanë dashur partinë ta udhëheq Nikola Gruevski dhe të mos ketë poste për personat e akuzuar nga PSP.

Në tryezë është vendosur propozimi se si të zbatohet Platforma e BDI-së, që është pjesë e platformës shqiptare që partitë politike e firmosën në Tiranë.

Gjithashtu, është biseduar për ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndarjet e posteve ministrore, kështu që BDI ka kërkuar tetë poste ministrore përfshirë MPB-në, ku tani në krye është ministri Agim Nuhiu.

Kreu i Integristëve, Ali Ahmeti gjatë hyrjes në takim me kryesinë ka deklaruar se nuk e din në ç’drejtim po shkon partia dhe se diskutimi do të jetë i gjatë dhe i vështirë.

Kryesia qendrore e partisë ka filluar me seancë në ora 17 ndërsa deri atëherë Ahmeti ka pasur takim vetëm me nënkryetarët e partisë për shkak të konsultimeve shtesë para mbajtjes së Kryesisë qendrore.

Jozyrtarisht, në ora 19 do të mbahet takimi i VMRO DPMNE-së me partnerët e koalicionit ndërsa në ora 21, pritet takimi i kryesisë qendrore të partisë, pas çka duhet të njoftohet nëse mandatari Gruevski ka arritur të siguroj shumicë për të formuar qeverinë e re.