Maqedoni Ivanov: Duhet të ketë përgjegjësi për atë është bërë dhe për atë...

Ivanov: Duhet të ketë përgjegjësi për atë është bërë dhe për atë që nuk është bërë

Këshilli i Sigurimit përfundoi rreth orës 21:00 me apele të fuqishme për ngjarjet në Kumanovë. Përfaqësuesit politikë, disa prej të cilëve nuk ishin takuar prej kohësh, apo nuk e njohin legjitimitetin e njëri-tjetrit, sot u detyruan të shtrëngonin duart. Anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dënuan ashpër prishjen e rendit dhe qetësisë nga ana e grupit të armatosur që kishte për qëllim destabilizimin e vendit. Deklaratën e lexoi vetë kreu i shtetit, presidenti Gjorge Ivanov, edhe pse konkluzat e takimit, sic tha ai, do të jepen më vonë. Ivanov tha se për grupin e armatosur kishte njoftuar më herët edhe shërbimet në rajon dhe Evropë por se shkëmbimi i informatave nuk dha rezultate. Ivanov, tha se nuk do të lejojë përshkallëzimin e tensioneve dhe prishjen e marrëdhënieve ndëretnike. Sipas tij, kjo i kushtoi shumë vendit, andaj duhet të ketë edhe përgjegjësi për të. Presidenti kërkoi nga liderët partiakë që t’i rikthehen dialogut politik dhe të kërkojnë zgjidhje për krizën. Në mbledhjen e sotme për herë të parë u ftuan të marrin pjesë edhe liderët e partive më të mëdha politike. Partitë shqiptare BDI e PDSH u përfaqësuan nga deputetët Talat Xhaferi dhe Imer Aliu ndërsa nga LSDM mori pjesë vetë lideri i saj Zoran Zaev. Mbledhja e sotme filloi me një minutë heshtje në nder të policëve të vrarë në përleshjet në Kumanovë.