Maqedoni Frangov: Uji është i pastër, por me ujësjellësin e ri duam të...

Frangov: Uji është i pastër, por me ujësjellësin e ri duam të largojmë dyshimin se ka arsen

Kryetari i Gjevgjelisë, Ivan Frangov sot për “Meta” deklaroi se ujësjellësi i ri në këtë qytet po ndërtohet sepse qyteti ka nevojë për sasi shtesë të ujit. Ai pohon se uji në Gjevgjeli është i pastër, por se autoritetet lokale duan të largojnë çdo dyshim.

“Vendosëm të ndërtojmë sistem tjetër sepse kemi nevojë për sasi shtesë të ujit. Gjithashtu, pas gjithë akuzave se uji është i ndotur, duam t’i largojmë të gjitha dyshimet se uji është i pastër për pije” thotë Frangov.

Me projektin parashihet të ndërtohen dy puse të reja përgjatë lumit Vardar dhe një rezervuar në Mërzen.

Sistemi i ri do të kap shifrën prej 105.258.839 denarë prej të cilave 70.738.500 denarë janë siguruar nga Banka Botërore ndërsa 260.000 euro janë grant nga fondet IPA.

Ofertat e kompanive të interesuara duhet të dorëzohen deri më 4 tetor.