Presidenti Gjorgje Ivanov të premten e kaluar vendosi të anuloj faljen për 22 persona nga gjithsej 56, vendim që hasi në kritika të ashpra nga faktori ndërkombëtar.

Sot sipas paralajmërimeve, PSP duhet të del me koment zyrtar për tërheqjen e faljes për 22. Në kabinetin e Katica Janevës presin materialet komplete për personat që është tërhequr falja.

Nga PSP të premten për “Meta” jo- zyrtarisht deklaruan se tërheqja e faljes duhet të ndodh për të gjithë.

“Qëndrimi i jonë është se nuk ekziston arsyetim për qasje selektive kur bëhet fjalë për realizimin e sundimit të së drejtës” deklaroi zëdhënësja Lençe Ristoska.

Komisari evropian Johanes Han, ditën e njëjtë kritikoi vendimin e presidentit për tërheqjen e faljes për vetëm 22 persona.

“Nuk mjafton vendimi i presidentit që të tërhiqen vendimet për falje vetëm për disa persona. Siç ka përmendur BE disa herë, zgjidhja gjithëpërfshirëse është çelësi që të evitohet drejtësia selektive” shkroi Han në Tuiter.

Nga ambasada e SHBA-së në vend, me ton identik theksuan se “anulimet e pjesshme apo selektive vetëm do të rritin ndjenjën e pandëshkueshmërisë në vend”.

“Siç kemi thënë javën e kaluar, tërheqja e pjesshme do të rritin ndjenjën e pandëshkueshmërisë në vend dhe do të pengoj Maqedoninë të shënoj progres drejt synimeve kryesore gjegjësisht BE-në dhe NATO-n, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së, pas vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov.

Dje ambasadori i Britanisë së Madhe në vend, Çarls Garet në sitin e tij zyrtar në Tuiter tha se që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, nevojitet tërheqje e plotë e faljes për 56 personat.

“Për barazi para ligjit, nevojitet 56/56” shkroi Garet.