hubalb Dezinformata për aksion të policisë së Kosovës në veri

Dezinformata për aksion të policisë së Kosovës në veri

Foto: Screenshot

Më 13 mars 2022 media online Banglarreporter që ka shpërndarje të madhe në rrjetin social Facebook, ka publikuar një lajm me titull kryesor ‘’Vuçiç I Paralajmëron Serbët: “Rrini Gati, Kemi Informacione Se Kosova Do Të Ndërmarrë Aksione Të Tjera Në Veri!Po të njëjtin lajm, pa e verifikuar se a është i vërtetë a po jo, e kanë shpërndarë mediat e llogaritë e tjera në  Facebook.

Në përmbajtje të këtij lajmi thuhet se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçka paralajmëruar sot serbët se në bazë të informacioneve që disponon, Qeveria e Kosovës gjatë nëntorit do të marrë aksione të tjera në veri.

 

Kjo deklaratë e Presidentit të Serbisë është publikuar në nëntor të vitit 2021, pas aksioneve  të Policisë së Kosovës kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës, dhe e ri publikuar me 13 mars të vitit 2022, kështu duke e bërë lajmin aktual dhe duke shpërndarë lajme të  rreme,  që mund të shkaktojë panik tek publiku.

Ndërkohë kanë vazhduar të qarkullojnë lajme të manipuluara përkitazi me mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kësisoj, faqja “Molla e Kuqe” në Facebook, që kur klikon të kalon tek sajti “Trendonline”, më 15 mars ka risjellë të shkëputur një deklaratë të udhëheqësit të Zyrës Ndërlidhëse për NATO-në Serbi, Cesare Marinelli duke e paraqitur si lajm aktual. Ky lajm ka marrë mijëra pëlqime dhe disa shpërndarje në rrjete sociale. Por, intervista e plotë me Marinelin ishte publikuar më 20 korrik 2021 në Zërin e Amerikës. As titulli nuk përkon me përmbajtjen e tekstit.

Titulli i lajmit të manipuluar është: “Komandanti I KFOR I Reagon Beogradit: SHBA E Ka Krijuar Ushtrinë E Kosovës Dhe E Njeh Mandatin E Tyre”. Por në deklaratë, zyrtari i NATO-së e ripërsërit qëndrimin se aleanca veriatlantike e njeh FSK-në me mandatin që ka pasur deri në vitin 2018, periudhë kjo kur Kuvendi kishte miratuar ligjet për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura. “Kur është fjala për FSK-në, ne i njohim ato në mandatin e tyre aktuaI. Nëse ka një ndryshim, duhet të diskutohet në nivelin e Këshillit të Atlantikut të Veriut “, kishte thënë Marinelli. Këtë ndryshim nuk e ka miratuar ende Këshilli i Atlantikut të Veriut. Përmbajtja e lajmit nuk mbështetet as me atë që shkruan në titull se, “ShBA e ka krijuar ushtrinë e Kosovës”.