Maqedoni Bujar Osmani: Talat Xhaferi do të jetë kandidat për kryetar parlamenti

Bujar Osmani: Talat Xhaferi do të jetë kandidat për kryetar parlamenti

Talat Xhaferi do të jetë kryetari i ri i Parlamentit të R. së Maqedonisë, deklaroi për “Portalb”, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Sipas Osmanit, Xhaferi është kandidati i vetëm i BDI-së dhe shumicës parlamentare. Nëse Xhaferi e kalon votimin për emërimin e kryetarit të Kuvendit, javën e ardhshme, ai do të jetë kryetari i parë shqiptar i këtij institucionit ligjvënës.

Kryetari i ri i Kuvendit duhet ta njoftojë presidentin e shtetit Gjorgje Ivanov, se ka shumicë parlamentare e më pas Ivanov në afat prej 10 ditëve për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Pas tre ditë negociata, përfaqësuesit e partive politike parlamentare arritën marrëveshje kryetar i Komisionit për emërime dhe mandat të jetë Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE ndërsa seanca konstituive të vazhdoj të hënën.

Në Komision, VMRO DPMNE do të ketë gjashtë anëtarë në Komisionin për emërime, LSDM pesë ndërsa BDI dhe BESA nga një.