Maqedoni Zaev: LSDM do të kyçet në protestën para Gjykatës kushtetuese

Zaev: LSDM do të kyçet në protestën para Gjykatës kushtetuese

LSDM do të kyçet në protestën masovike para Gjykatës kushtetuese, e organizuar nga organizata civile, njoftoi sot lideri opozitar, Zoran Zaev.

Ai tha se vendimet e turpshme të instalimeve partiake në këtë gjykatë janë përpjekje për faljen e krimeve dhe mashtrimeve zgjedhore.

“Kaosi nëpër listat zgjedhore vërtetoi atë që ne e kemi theksuar në projektin “E vërteta për Maqedoninë”. Nikolla Gruevski dhe VMRO DPMNE jo vetëm që kanë vjedhur paratë e qytetarëve, por e kanë vjedhur edhe të drejtën e tyre elementare për zë të lirë dhe zgjedhje të lirë. Qëllimi që të amnistohet ky krim zgjedhor i cenon themelet e rendit juridik dhe kushtetues të vendit. Parimi bazë i demokracisë është sundimi i të drejtës dhe ligji patjetër duhet të vlejë për të gjithë- tha Zaev.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në mbrojtje të Kushtetutës dhe rendit kushtetues në vend.

“Nesër, e martë 15 mars, vetëdija individuale dhe kolektive civile le të udhëheq marshin prej para Qeverisë përmes Kuvendit e deri në Gjykatën kushtetuese. Të gjithë nën flamurin e Maqedonisë” tha Zaev.