Maqedoni Xhaferi dhe Janeva takon delegacionin e Kongresit të SHBA-së

Xhaferi dhe Janeva takon delegacionin e Kongresit të SHBA-së

Delegacioni i përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve, që sot ishte për vizitë në vend, ka pasur takim edhe me kryetarin e porsaemëruar të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe me prokuroren speciale, Katica Janeva, njoftojnë nga ambasada e SHBA-së në Maqedoni.

“Delegacioni dypartiak i udhëhequr nga kongresmeni Bob Gudlejt, kryetari i Komitetit për gjyqësor, është takuar me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, me deputetë si dhe me prokuroren speciale, Katica Janeva. Delegacioni gjithashtu është takuar me ministrin e mbrojtjes, Zoran Jolevski dhe me ministrin e jashtëm Nikola Poposki në kazermën “Ilinden” ku policia ushtarake prezantoi pajisjen e financuar nga SHBA-të”, thuhet në kumtesën e ambasadës.

Në takimet, siç njoftohet, është biseduar për forcimin e sundimit të së drejtës në Maqedoni, për bashkëpunimin ushtarak dhe për procesin e formimit të Qeverisë.

Ndryshe, vizita e delegacionit të Kongresit në vend është në suazat e turnit të tyre rajonal gjatë të cilit janë diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë edhe klimën demokratike politike dhe rritjen ekonomike në Ballkan.