Maqedoni VMRO DPMNE propozon takim liderësh, kompromis dhe zgjedhje të reja?

VMRO DPMNE propozon takim liderësh, kompromis dhe zgjedhje të reja?

Në vazhdimin e 17-të të seancës konstituive të Kuvendit sot, për herë të parë kishte thirrje nga një deputet i VMRO DPMNE-së që të organizohet takim i liderëve që të tejkalohen të gjitha çështjet dhe të arrihet kompromis e më pas të ketë edhe zgjedhje të reja.

Duke i përsëritur akuzat që deri më tani shumë herë janë dëgjuar, deputeti Kërsto Mukoski në replikën e koleges së tij Blagica Lasovska, tha se dalja nga kjo është- takimi i liderëve.

“Kolegë të nderuar, po shkelen rekorde për numrin e pakënaqësive të shprehura nga Platforma me të cilët po shantazhohet LSDM-ja. Dua të apeloj për arsye të shëndoshë, për mbajtjen e një takimi të liderëve, që të gjithë liderët të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për të mirën  e shtetit, të hapen të gjitha çështjet dhe të zgjidhen me kompromis, të arrihet me kompromis e më pas të mbahen zgjedhjet e reja që qytetarët të vendosin”, tha Mukoski.

Zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Ivo Kotevski në pyetjen e “Meta” nëse thirrja e Mukoskit është edhe qëndrim i partisë, u distancua nga deklarata, duke thënë se nuk e ka dëgjuar e më pas tha se qëndrimi i VMRO DPMNE-së është që të shpallen zgjedhje të parakohshme, por se këtë LSDM dhe Zoran Zaev refuzojnë këtë, “duke kërkuar shpëtim nga përgjegjësia penale”.