Maqedoni Këshilli i prokurorëve publik edhe sot nuk e emëroi ekipin e plotë...

Këshilli i prokurorëve publik edhe sot nuk e emëroi ekipin e plotë të Janevës

Debati për emërimin e ekipit të plotë të prokurores speciale, Katica Janeva nuk u gjet në rend dite në seancën e Këshillit të prokurorëve publik, njoftoi kryetari i Këshillit, Petar Anevski. Edhe pse këtë e kërkuan prokurorja speciale, ministri i drejtësisë dhe katër partitë që bisedojnë në Përzhino, Këshilli i prokurorëve publik nuk e vendosi këtë pikë në rend dite. Propozimin që të zgjidhen edhe 7 emrat tjerë të propozuar nga ekipi i Janevës e ka dhënë një anëtar i Këshillit, por shumica nuk ka pranuar.

“Në shkresën e prokurores u përmendën emrat, pa arsyetim, me vetëm disa fjalë dhe data të ndryshuara, dhe për këtë shkak propozimin e vendosëm në votim. U soll vendim që kjo pikë të mos jetë në rend dite” deklaroi Anevski.

Ai tha se Këshilli i qëndron në dispozicion prokurores nëse rritet vëllimi i punës dhe ka nevojë për kuadër shtesë, sërish do të mbajnë seancë dhe do të vendosin për rritjen e numrit të prokurorëve në ekipin e saj.

“Me sa e di unë, janë diku 28 lëndë për punë. Nëse ky numër rritet në 120 apo 150 ne do ta ndryshojmë vendimin e prokurorëve. “ Do të thosha se dera për Katica Janevën në këshillin e prokurorëve publik është e hapur, në çdo kohë mund të vijë dhe të bisedojmë për daljen nga kjo krizë. Mendoj… kjo nuk është krizë. Ky është obligim i këshillit të prokurorëve publik dhe obligim i sajë, që mos të kemi situata të këtilla të pa lakmueshme”- tha Anevski.

Në seancën e sotme të këshillit të prokurorëve publik prezent ishin edhe OSBE dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane.

Në pyetjen e gazetarëve nëse është marrë parasysh fakti se deri te Këshilli i prokurorëve publik është dorëzuar letër nga katër partitë politike, Anevski deklaroi se ata janë institucion i pavarur, që nuk punojnë me rekomandime partiake.

“Nuk ka teori që ne të punojmë sipas rekomandimeve të partive politike. Letër është dorëzuar deri te Ministri i drejtësisë, ne e dorëzuam te Janeva, por ajo dorëzoi listë të plotë me kandidat për të cilën ne njëherë sollëm vendim” deklaroi kryetari i Këshillit.