Maqedoni Sot zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese, favorit i Goshevës- gjykatësi...

Sot zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese, favorit i Goshevës- gjykatësi Ivanovski

Në kolegjiumin e sotëm, ka filluar zgjedhja e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë.

Mandati i kryetares aktuale, Elena Gosheva, do të kalojë për dy javë dhe për të mos u bllokuar puna e Gjykatës, gjykatësit kushtetues kanë caktuar seancë për sot.

Burimet tona thonë se kolegjiumi për emërimin e kryetarit është caktuar për sot, sepse në të kundërtën, pa kryetar të ri do të bllokohej puna e Kushtetueses.

Sipas informacioneve, kandidati më serioz për këtë funksion është Nikola Ivanovski, për të cilin besohet se e ka mbështetjen e Goshevës.

Kryetari i ri nga paraardhësja e saj do të trashëgoj lëndën e ndjeshme gjegjësisht nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për PSP, që tanimë një vit është nëpër sirtarët e gjykatës dhe deri më tani nuk është gjetur në rend dite, edhe krahas thirrjeve të shumtë të opozitës dhe OJQ-ve.

Kryetarja aktuale, mandati i së cilës skadon më 1 nëntor, për anëtare e Gjykatës Kushtetuese u emërua në maj të vitit 2012. Një muaj më vonë për gjykatës në Kushtetuese u emërua edhe Nikola Ivanovski.

Ndryshe, për disa muaj gjykatësve kushtetues Natasha Gaber- Damjanovska, Gëzime Starova dhe Ismail Dardhishta u skadon afati nëntëvjeçar. Ata në këtë post u ulën në vitin 2008.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi emëron gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Mandati i gjykatësve zgjat nëntë vite pa të drejtë për emërim të sërishëm. Gjykatësit zgjidhen nga radhët e juristëve të theksuar.