Maqedoni LSDM: Avokati i Gruevskit do të marrë 46 mijë euro prej ELEM-it

LSDM: Avokati i Gruevskit do të marrë 46 mijë euro prej ELEM-it

LSDM-ja opozitare reagoi në një pres konferencë ndaj avokatit të Nikolla Gruevskit i cili është i angazhuar nga firma shtetërore ELEM me një shumë marramendëse.
“ Pasi që u shërua nga ‘sëmundja shpirtërore’ Nikolla Gruevski me 50.000 euro, a do të shërohet tash edhe avokati i tij”, pyesin nga LSDM.

“Avokati Nikolla Dodevski do të jetë i angazhuar nga kompania shtetërore ELEM, ndërsa për këtë, sipas marrëveshjes të publikuar në faqen e Byrosë së furnizimeve publike, për një shërbim një vjeçar, ELEM do t`i paguaj mbi 46.000 euro.

Rastësisht ose jo, kjo shumë për avokatin është e ngjashme me 50.000 eurot që i mori Gruevski.

Është interesante se kusht për nënshkrimin e marrëveshjes me ELEM ka qenë çmimi më i ulët, ndërsa ka pasur vetëm pesë oferta, por për procedurën nuk është paraparë një aukcion elektronik, por marrëveshja është kryer me avokatin e Nikolla Gruevskit.

Tashmë është më e qartë, gjegjësisht se cila ka qenë ‘sëmundja e rëndë’ e Gruevskit, për rastin Banka Maqedonase, që e publikoi kryetari i LSDM-së, dhe që kushtoi 50.000 euro.

Lidhja e institucioneve shtetërore, kryeministër, gjykatë, kompani shtetërore, vërteton se në Maqedoni nuk ka shtet dhe se gjithçka është parti”, thuhet  në reagimin e LSDM-së.