Maqedoni Filluan kundër protestat. VMRO DPMNE nuk bën lista të aktivistëve, por vetëm...

Filluan kundër protestat. VMRO DPMNE nuk bën lista të aktivistëve, por vetëm i “përditëson”?

Dhjetëra autobus të Ndërmarrjes publike të transportit – Shkup sot, siç njoftuan prej atje, në shenjë proteste, janë parkuar para selisë së LSDM-së. Nga NPT thonë se për këtë hap kanë vendosur për shkak të demolimit të autobusëve nga ana e përkrahësve të LSDM-së në protestat kundër brutalitetit policor.

Thuajse njëkohësisht, gazetarët e mediumeve pro- qeveritare gjithashtu, siç njoftuan, kanë shprehur revoltin e tyre për shkak të dhunës ndaj përfaqësuesve të mediumeve.

Para selisë së partisë, në mënyrë simbolike u vendosën shkopinj dhe gurë sepse, sipas Asociacionit maqedonas të gazetarëve, pikërisht me to “protestat e dhunshme të organizuara nga LSDM kanë goditur ndaj personave në detyrë zyrtare”.

Ndërsa në opinion, shumë e më shumë po paraqiten informacione për përgatitjen e listave nëpër komitetet lokale të VMRO DPMNE-së, për njerëzit që do të merrnin pjesë në kundër- protestat e 17 majit, të cilin opozita e paralajmëroi në mitingun e vet. Të dhënat e fundit arrijnë nga Shtipi prej ku thonë se në këtë qytet përgatiten lista me të punësuar të administratës lokale të cilët do të shkonin në kundër- protestë në Shkup. Siç njoftojnë prej atje, çdo drejtor i institucioneve duhet të përgatit listë të tillë dhe ta dërgoj në komitetin komunal.

Lidhur me listat nëpër komitetet lokale nuk tregohet se pse bëhen, por thuhet se “i kontrollojnë numrat e telefonave që mos të ketë ndryshim”.

“Shkrimet se jemi duke u përgatitur për kundër- protestë nuk janë të sakta. Këto janë sajime nga opozita. Ne, si komitet komunal, kemi takime të rregullta dhe funksionojmë si parti”, thotë kryetari i KK në Manastir, Borçe Dimitrovski.

Këtë e konfirmojnë edhe të tjerë dhe thonë se nuk bëhen lista, por se disa nga anëtarët e kreut komunal (në veçanti kryetarët e bashkësive lokale) kanë propozuar që të përgatiten “për çdo rast”. Gjoja, edhe mes tyre ka pasur diskutime të ndryshme dhe mendime lidhur me atë nëse dikush prej anëtarëve është i matur apo radikal dhe “nëse mendon me kokë të ftohtë apo me të nxehtë”.

Pjesa më e madhe e tyre janë dakorduar se nëse “Zaevistët provokojnë ata do të kthejnë” ndërsa kryetarët e komiteteve lokale janë obliguar që të zgjedhin njerëz të besueshëm, por me “fitil të shkurtë”, të gatshëm për telashe.

Këtë sikur e konfirmon fjalimi i kryeministrit Nikolla Gruevski në lajmet e televizionin “Sitel”. Kryeministri tha se vazhdimisht ka pranuar thirrje që të veproj më ashpër që të bëhet ndonjë organizim më i madh.

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, thotë se nuk kanë njohuri se çfarë saktë ka përgatitur Nikolla Gruevski, përveç atë që e ka paralajmëruar në TV Sitel.

“Dhuna  mund të jetë vetëm fundi i Gruevskit. Ne çdoherë, ja edhe sot, do të apelojmë për protesta të qeta dhe përmbajte nga çfarëdo dhune”, tha Shilegov.