Korrespondentë Bojkotit iu bashkëngjitën edhe nxënësit e shkollave të mesme në Tetovë

Bojkotit iu bashkëngjitën edhe nxënësit e shkollave të mesme në Tetovë

Me bojkot të mësimit dhe tubim protestues në sheshin e qytetit, nxënësit e vitit të parë dhe të dytë që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, treguan revoltin e tyre kundër testimit ekstern. Në tubim morën pjesë rreth 200 nxënës, të cilët mbanin parulla në gjuhën shqipe “Stop për testimin ekstern” dhe “Nuk dorëzohemi”.

“Nxënësit e paraleleve maqedonase filluan, ne vazhdojmë me protestat kundër testimit ekstern. Do të protestojmë edhe më tutje sepse Ministria e arsimit nuk mundet përmes një testit të vlerësoj sa kanë mësuar gjatë tërë vitit”, shpjegoi një nxënës i shkollës së mesme.

Sipas një pjesë të pjesëmarrësve në protestë, testimi ekstern është absurd sepse testi përmban pyetje që nuk kanë përgjigje e që të vlerësohet dituria e një nxënësit, nevojitet të kihen parasysh edhe aktivitetet e tija gjatë vitit shkollor. Pjesëmarrësit thonë se do të vazhdojnë me bojkotimin e mësimit edhe ditët në vijim, por në suazat e gjimnazit.

Nxënësit maqedonas edhe më tej pjesërisht bojkotojnë mësimin, siç thonë, për shkak të presioneve nga drejtorët dhe krerët e shkollave.

Z.D