Maqedoni MPB ka identifikuar personat që e kanë hapur derën kryesore të Kuvendit

MPB ka identifikuar personat që e kanë hapur derën kryesore të Kuvendit

SPB Shkup pranë Prokurorisë Themelore Publike, Shkup ka dorëzuar tre njoftime të reja për disa persona lidhur me hetimet për dhunën në Kuvendin e R. së Maqedonisë të enjten e kaluar.

Njoftimet janë dërguar pasi pas shqyrtimit të video- materialit nga kamerat e sigurisë të Kuvendit janë identifikuar personat që kanë marrë pjesë në largimin e bllokadës së derës nga hyrja kryesore nga ana e brendshme, njoftojnë nga MPB.

Të dielën, SPB Shkup ngriti kallëzime penale kundër gjithsej 15 persona, që ngarkohen me veprat penale Pjesëmarrje në turmë që do të pengoj personin zyrtar në kryerjen e detyrës dhe pjesëmarrje në turmë që do të kryej vepër penale.

Paraprakisht, Prokuroria Themelore Publike kërkoi lëshimin e fletë-arrestit qendror për arrestimin e të gjithë 15 të dyshuarve.

“Më 30 prill 2017 nga liria janë privuar tetë persona, të cilët janë nxjerrë para gjykatësit në procedurë paraprake, i cili për pesë prej tyre ka shqiptuar masën e paraburgimit prej tetë ditëve për një person masën e arrestit shtëpiak ndërsa për dy persona masën e kujdesit”.

Nga MPB shtojnë se SPB Shkup në koordinim me Prokurorinë Publike Shkup vazhdon në mënyrë intensive të punojë në identifikimin e mëtutjeshëm të personave që kanë qenë pjesë e dhunës më 27 prill.