Maqedoni Mediumet edhe më tej pa zgjidhje, bisedimet vazhdojnë sot

Mediumet edhe më tej pa zgjidhje, bisedimet vazhdojnë sot

Pa rezultat përfunduan bisedimet e djeshme maratonë të grupeve të punës të partive politike lidhur me reformat në mediume.

Ndërmjetësi belg Piter Vanhoute pas bisedimeve të mbrëmshme për mediumet në profilin e tij në Twitter shpërndau dy poste në orën 2 pas mesnatës.

Në postin e parë shkroi :”Pas bisedimeve të gjata, koha është për zgjidhje kreative: gjumi. Bisedimet vazhdojnë nesër”.

Në postin e dytë ai shpërndau fotografi ku shkruan: “Situata është pashpresë, por jo shumë serioze”. Me foton ai shpërndau edhe tekstin: “Bisedimet për këtë natë kanë mbaruar. Ka shumë për t’u bërë”.

Dje pasdite në takim në Klubin e deputetëve arritën edhe ambasadori amerikan në vend Xhes Bejli dhe euro- ambasadori Aivo Orav për presion shtesë për zgjidhjen e kësaj pike deri të premten.

Tani për tani VMRO DPMNE ngel në qëndrim që të merret cilido ligj evropian dhe të zbatohet në legjislacionin e vendit ndërsa LSDM dhe SHGM pranojnë propozimin e Vanhautes.