Maqedoni LD: Është logjike mandatin për formimin e Qeverisë ta merr LSDM

LD: Është logjike mandatin për formimin e Qeverisë ta merr LSDM

Pas përpjekjes së pasuksesshme që VMRO DPMNE të siguroj shumicë parlamentare për formimin e Qeverisë, është më se logjike dhe legjitime mandatit t’i jepet LSDM-së, thuhet në njoftimin e Lidhjes Demokratike.

“Edhe krahas deklaratave të ekspertëve dhe zgjidhjeve kushtetuese, mandatin ta merr partia apo partitë që kanë shumicë në Parlament, Gjorgje Ivanov mandatin ia dha VMRO DPMNE-së, me çka shkeli Kushtetutën dhe i dha përparësi të madhe mandatarit Nikola Gruevski që të formoj Qeveri, por përpjekja ngeli pa rezultat” thuhet në kumtesën e tyre.

Nga kjo shtojnë se në interes të stabilitetit, interesave nacionale dhe shtetërore të qytetarëve është që të zgjidhet qeveri e cila do të siguroj stabilitet, sundimin e të drejtës dhe do të zbatoj reforma rrënjësore.

“Vlerësimet janë se ka shumicë dhe është më se e sigurt se përgjegjësi për formimin e qeverisë së re do të ketë edhe LSDM, por edhe partitë tjera. Për këtë, nga të gjitha partitë pritet me urtësi dhe sjellje të përgjegjshme të mbajnë llogari për interesat e shtetit”, thonë nga partia.