Maqedoni “Konrad Adenauer” ashpër kritikon VMRO DPMNE-në

“Konrad Adenauer” ashpër kritikon VMRO DPMNE-në

 

Në analizën me titull “Populli vendosi”, Fondacioni “Konrad Adenauer” e partisë konservative gjermane CDU e kancelares Angela Merkel, dërgoi kritika të ashpra për sjelljen jodemokratike të partisë “simotër” në Maqedoni, VMRO DPMNE, për shkak të refuzimit të saj ë të reformohet si dhe kritikat ndaj ambasadorëve të huaj.

Analiza e firmosur nga Johanes Rej, thekson se zgjedhjet, edhe pse kanë qenë deri më tani më të lirat dhe më demokratike, nuk kanë sjellë stabilitet politik, por përkundrazi, disa ditët e fundit janë shembull për “sjellje jodemokratike par ekselans”

“Kriza në shtet nuk ka fund. Pasojat mund të jenë trazirat”, shkruan Rej.

Analiza dërgon sërë kritikash ndaj VMRO DPMNE-së, ku thuhet se me humbjen e 19 vendeve të deputetëve, “votuesit dërguan sinjal për ndryshime, sinjal që VMRO DPMNE nuk i pranon”.

“Javët e ardhshme do të jenë emocionuese. Nga zgjedhjet e reja në pranverë bashkë me zgjedhjet lokale, e deri në luftë të hapur për pushtet, çdo gjë mund të ndodh. Askush s’mund të garantoj se do të jetë qetë. Përderisa njerëzit e rëndomtë shikojnë nga anash, atmosfera tek anëtarët e të gjitha partive është shumë shqetësuese. Liderët partiak kanë obligim që të qëndrojnë të përmbajtur në retorikë, të veprojnë në mënyrë të qetë para mbështetësve dhe të mos e cenojnë legjitimitetin e institucioneve të shtetit. Me dalje të madhe në zgjedhje, votuesit treguan pjekurinë e tyre dhe me votën e tyre kërkuan ndryshime në establishmentin politik. Por, dëshira e tyre për stabilitet politik dhe normalitet edhe më tej nuk respektohet. Interesat personale sërish vendosen mbi interesin e komunitetit. Maqedonia edhe më tej po futet në krizë” thuhet në analizën e Fondacionin “Konrad Adenauer”.