Maqedoni Jankuloska për aksionin në Brezë: Kemi situatë serioze

Jankuloska për aksionin në Brezë: Kemi situatë serioze

Dy pushka automatik, dy pushka snajperë, qindra municione, dy radiostacione dhe uniformë të maskuar me shenjën e UÇK-së, ka konfiskuar policia në aksionin e djeshëm në fshatrat Brezë dhe Brnjarc, e që janë pjesë e armës që është marrë gjatë sulmit të karakollit Gushincë të martën e kaluar, njoftoi sot në konferencën e shtypit ministrja e brendshme, Gordana Jankuloska.

Sipas ministres, arma është gjetur në dy lokacione në Brezë, pronësi e personit 55 vjeç nga fshati, i cili sipas të dhënave operative të MPB-së, ka qenë pjesë e grupit prej 40 personave që e kanë kryer sulmin në stacionin policor. Në lokacionin në Brnjarcë të cilin e ka shfrytëzuar personi i njëjtë nuk është gjetur asgjë.

Ministrja nuk dha përgjigje konkrete në pyetjen për motivet e sulmit ndaj karakollit. Informacionet që të premten e kaluar i publikoi “Blic-i” serb, se sipas burimeve të tyre të shërbimeve të sigurisë, sulmi në Gushincë është incident i kurdisur pas të cilit qëndrojnë Qeveria, Jankuloska i vlerësoi si “teza të paparamenduara”.

“E gjithë ajo që ndodhi pas ngjarjes më 21 prill demanton këto pohime. Aktivitetet që i morëm ditët e kaluar, konfirmojnë se spekulimet dhe tezat e këtilla janë produkt i një konstruksionit i cili jo vetëm që është vështirë të paramendohet, por tregon se kemi situatë shumë serioze- deklaroi ajo.