Maqedoni Janeva tërheq vendimin e Zvërlevskit për shfuqizimin e paraburgimit të Koçan

Janeva tërheq vendimin e Zvërlevskit për shfuqizimin e paraburgimit të Koçan

Prokurorja speciale, Katica Janeva sot ka tërhequr nga Gjykata Supreme kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë që të hënën e dorëzoi prokurori publik, Marko Zvërlevski lidhur me paraburgimin e biznesmenit Sead Koçan, i dyshuar në rastin “Trust”.

Në shkresën pranë gjykatës, me mbishkrim “shumë urgjentt”, Janeva thirret në nenin 5 të Ligjit për PSP, që sipas tij Specialja është e vetmja kompetente për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që dalin nga bombat.

Prokuroria e Zvërlevskit, të hënën këtë javë dërgoi dhe kërkoi nga Gjykata Supreme të pranojë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së prokurorit publik të RM-së dhe t’i shfuqizoj vendimet e Gjykatës Themelore Shkup 1 nga 7 marsi 2017 dhe Gjykatës së Apelit nga 15 marsi 2017 dhe lëndën ta kthejë sërish në rigjykim.

Gjykata Themelore Shkupi 1 më 7 mars caktoi masën e paraburgimit për Sead Koçan i cili dyshohet në lëndën “Trust” ndërsa vendimin më vonë e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit. Që atëherë, Koçan është i pakapshëm për organet e ndjekjes dhe ndaj të cilit është lëshuar fletë- arrest ndërkombëtar.