Maqedoni Gjykata kushtetuese me vendim final: Zgjedhje më 5 qershor nuk do të...

Gjykata kushtetuese me vendim final: Zgjedhje më 5 qershor nuk do të ketë

Gjykatësit kushtetues në seancën e sotme njëzëri anuluan dy vendimet për shpërndarjen e Kuvendit të miratuara më 18 janar dhe 23 shkurt këtë vit, konfirmojnë për “Meta” nga Gjykata kushtetuese.

“Anulohet vendimi për shpërndarjen e Kuvendit nga 18 janari dhe vendimi për ndërrimin e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit nga 23 shkurti 2016. Ky vendimi i Gjykatës kushtetuese prodhon veprim juridik nga dita e miratimit” deklaroi sekretarja e përgjithshme e Kushtetueses, Olivera Filipovska.

Me vendimin e sotëm të gjykatësve kushtetues edhe zyrtarisht stopohen të gjitha aktivitetet me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në seancën e kaluar para saktë një jave, gjykatësit kushtetues njëzëri pranuan të shqyrtojnë nismën e BDI-së, me të cilën kontestohet shpërndarja e Kuvendit.

Gjykatësit, në ndërkohë, miratuan masë kohore për stopimin e të gjitha aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me zgjedhjet.

Pranimi i nismës dhe miratimi i masës kohore hapi mundësi për thirrje të sërishme të Kuvendit, që kryetari Trajko Veljanovski e bëri ditën e njëjtë (të mërkurën e javës së kaluar) ku deputetët njëzëri e fshinë nga Kodi zgjedhor datën 5 qershor, si ditë ku duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Datë e re për mbajtjen e zgjedhjeve nuk parashihet.