Bota Ballkan Foto e ushtarit të vrarë azer keqinterpretohet si e terroristit të sulmit...

Foto e ushtarit të vrarë azer keqinterpretohet si e terroristit të sulmit në Banjskë

Foto e një ushtari të vrarë po qarkullon në rrjet me pretendimin se ai është një prej terroristët serbë që u vra nga policia e Kosovës pas sulmit në Banjskë. Verifikimi i Faktoje zbuloi se foto tregon në të vërtetë një ushtar azer të vrarë në 2016 në rajonin e Nagorno-Karabakh në Azerbaixhan.

—————————————-

Në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, në veri të Ksosovës, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre prej personave të armatosur që dyshohet se morën pjesë në këtë akt terrorist u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës.

Lajmërimi për vdekjen e këtyre tre personave u pasua me një sërë fotosh që filluan të qarkullonin menjëherë në rrjet me pretendimin se tregonin terroristët e vdekur.

Megjithatë, jo të gjitha këto foto ishin të vërteta.

Një prej tyre, e cila është shpërndarë nga një numër faqesh në Facebook, dhe është përfshirë në disa artikuj, ka marrë mbi 1 mijë pëlqime të kombinuara. Ajo është shoqëruar me përshkrime si: “Tjeter kriminel serb i vrarë nga PK-ja!” dhe “Gjaku, lahet me gjak!”

Megjithëse foto e një burri të veshur me rroba ushtarake i shtrirë në tokë është e ngjashme me fotot e vërteta nga sulmi në Banjskë, një kërkim me anë të motorrit të kërkimit të imazheve Tineye zbulon se foto është publikuar në rrjet që 7 vjet më parë, në Prill 2016.

Foto është shkrepur më 6 prill 2016, nga fotografi Karo Sahakyan, dhe ajo tregon trupin e një ushtari azer i mbetur i vrarë në rajonin e Nagorno-Karabakh, në Azerbajxhan, pas një përplasje të egër me forcat armene, që zgjati tre ditë.

Pretendimi se foto tregonte një nga terroristët e Banjskës është përgënjeshtruar edhe nga kolegët tanë të Kallxo dhe Hibrid.info.