Maqedoni Dimovski: Propozimi i LSDM-së për mediumet është “ligj gargamel”

Dimovski: Propozimi i LSDM-së për mediumet është “ligj gargamel”

VMRO DPMNE hodhi poshtë propozim- ligjin për mediumet të cilin LSDM-ja dje e propozoi para partive politike, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos. Sipas Ilija Dimovskit ligji është anti- kushtetues, jo- evropian dhe nuk ekziston askund në botë.

“Me ligjin e LSDM-së parashihet rritja e gjobave për mediat. Ky ligj RTVM parasheh që agjencia e mediave të përbëhet nga njerëz të organizatave joqeveritare. Aty parashihet një baraspeshë e cuditshme. Edhe atëherë kur duhet të shkruhet për ndonjë rast ku është përfshirë një pedofil duhet t’i kemi të dy palët. Ky propozim ligj, që para dy muajve, u refuzua nga të gjitha organizatat e gazetarëve në Maqedoni. Qëllimi është të mos miratohet ligji për themelimin e universitetit të ri për siguri dhe mbrojtje, por edhe të shkaktohet krizë e re politike në Kuvend. LSDM-ja do që ta përsërisë skenarin për incidente dhe krizë të re në parlament. Ky ligj është “ligj gargamel” deklaroi Dimovski para fillimit të takimit të sotëm të grupeve të punës në Klubin e deputetëve për zgjidhjen e çështjeve kontestuese rreth rregullimit të mediumeve.

Sipas tij, më 24 shkurt do të shpërndahet Kuvendi ndërsa 20 ditë më vonë do të hynë në fuqi dispozitat e Kodit zgjedhor, që e rregullojnë sferën e mediumeve.

“Ne vlerësojmë se ligji jonë për mediume është plotësisht i pranueshëm sepse është miratuar nga institucionet ndërkombëtare relevante. Megjithatë, nëse nuk duan të pranojnë ligjin ekzistues, sot në tavolinë do t’i vendosim të gjitha ligjet e vendeve të BE-së, dhe le të zgjedhin ndonjërin” shtoi Dimovski.