Maqedoni Një pjesë e të dyshuarve për ngjarjet në Kumanovë kanë refuzuar të...

Një pjesë e të dyshuarve për ngjarjet në Kumanovë kanë refuzuar të japin prononcim

Nisi sot dëgjimi i një pjese të grupit të Kumanovës, që u arrestuan pas incidentit të armatosur të 9 majit. Seancat dëgjimore të të dyshuarve nuk kanë ndodhur në Gjykatë siç ishte pritur, por në fshehtësi të plotë për shkaqe sigurie.

Naser Raufi, avokati që po mbron 11 kosovarët e paraburgosur të grupit të Kumanovës, ka thënë se të martën për herë të parë Prokuroria e Maqedonisë do t’i prezantojë provat e saj ndaj rastit “Kumanova”, ndërkohë që dihet se deri më tani nuk kanë treguar asgjë. Numri i të akuzuarve si pjesëmarrës në grupin e armatosur në Kumanovë është 33, shumica prej të cilëve janë nga Kosova.

Prokuroria Publike ka njoftuar se prokurori përgjegjës për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit në zbardhjen e deritanishme të ngjarjes së 9 majit, e cila ndodhi në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ka grumbulluar një pjesë të dëshmive.

“Prokuroria ka përfunduar edhe procedurën për identifikimin e të dyshuarve, të cilën e ka realizuar nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare. Nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare juridike ka filluar edhe procedura për ekstradimin e personave të dyshuar, si dhe procedurën për grumbullimin e dëshmive në lëndën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.