Maqedoni Bogoevski: Gruevski për roaming në muajin mars ka shpenzuar 184.000 denarë, të...

Bogoevski: Gruevski për roaming në muajin mars ka shpenzuar 184.000 denarë, të holla të qytetarëve

Deputeti i pavarur i koalicioni të LSDM-së, Pavle Bogoevski sot në seancën konstituive të Kuvendit tha se, kreu i VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski për muajin mars ka shpenzuar 184.000 denarë për roaming nga telefoni i tij zyrtar.

Bogoevski tha se edhe pse Gruevski, më shumë se një vit nuk është kryeministër i shtetit, megjithatë në faturën e telefonit ai figuron si kryetar i Qeverisë dhe se faturën e paguan shteti.

“Replikat e deputetëve të VMRO DPMNE-së nuk përdoren për replika, por për të mbuluar krimin. Problemi me bllokimin e institucionit ligjvënës është edhe për fshehjen e krimit i cili po bëhet ende. Pranë meje arriti fotografia nga fatura e telefonit zyrtar të Nikola Gruevskit. Edhe pse foltorja më mundëson të konfirmoj se kjo është e vërtetë, nuk konfirmoj, por kërkoj shërbimet të shqyrtojnë nëse është e vërtetë. Nga telefoni zyrtar i kryeministrit që e paguan Qeveria e Maqedonisë, në periudhën 1 mars- 1 prill 2017, Gruevski ka bërë faturë prej 184.000 denarë për roaming. A i paguanin qytetarët koordinimet e tij nga Malta?- pyeti Bogoevski.

Kryesuesi i Kuvendit, Trajko Veljanovski i tha Bogoevskit se mund të drejtohen tek sekretari i përgjithshëm i Qeverisë për sqarimin e faturave.

“Ju u shndërruat në agjentë dhe po shqyrtoni faturat e telefonit. Keni sekretar të përgjithshëm të Qeverisë dhe shkoni tek ai për sqarim”, tha Veljanovski.