Bota Ballkan A bëri xhiro restoranteve Albin Kurti me dy ish-politikanë pa rëndësi?

A bëri xhiro restoranteve Albin Kurti me dy ish-politikanë pa rëndësi?

Një takim pune i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Greqi është intepretuar si “xhiro nëpër restorantet e Greqisë me ish-politikanë pa rëndësi”. Një verifikim i Faktoje tregon se në fakt Kurti është takuar me raportuesen për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, Dora Bakoyannis, si dhe themeluesin e simpoziumit ku ishte i ftuar, ish-kryeministrin e Greqisë, George A. Papandreou.

Jona Plumbi

Situata e tensionuar në veri të Kosovës, që arriti kulmin e saj në mesin e muajit Maj kur pati përplasje fizike mes protestuesve të minoritetit serb dhe forcave të KFOR, si dhe reagimi i kryeministrit Kurti ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve për çtensionuar situatën, e kanë ndarë opinionin publik në Kosovë në dy kampe, atë pro dhe kundër kryeministrit Kurti.

Kjo mbështetje apo refuzim që i bëhet qëndrimit të qeverisë së Kosovës, shpesh pasqyrohet përmes publikimit të informacioneve të pavërteta vetëm me qëllimin e goditjes së kryeministrit Kurti si dhe nxitjen e reagimeve të lexuesve kundër tij. Ky është rasti i publikimit në portalin Periskopi me titull “Kurti vazhdon shëtitjet nëpër restorantet greke, flet me dy ish-politikanë pa rëndësi”.

Artikulli informon lexuesit se takimi është njoftuar vetë kryeministri Albin Kurti përmes një publikimi në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar dy ish-zyrtarë të lartë grekë, Dora Bakojanis dhe George Papandreu, gjatë vizitës së tij në Greqi.” – shkruan Periskopi.

Ajo që artikulli nuk njofton është fakti se Dora Bakoyannis, jo vetëm nuk është ish-politikane, pasi aktualisht shërben si deputete në parlamentin grek, por ajo që është edhe më e rëndësishme është se prej qershorit të këtij viti ajo është zgjedhur të raportojë në këshillin e Europës lidhur me aplikimin e Kosovës për antarësim në këtë organizëm.

Aktiviteti politik i zonjës Bakoyannis përfshin shërbimin si nënsekretare e shtetit (1990- 1992) dhe nga viti 1992 deri në 1993 si ministre e Kulturës në kabinetin Mitsotakis. Ajo ka qënë kryetarja e parë femër e bashkisë së Athinës (2002 – 2006) dhe e para femër që shërbente si ministre e jashtme e Greqisë (2006 – 2009). Bakoyannis u nderua me medaljen e OSBE-së për kontributin e saj në qasjen ndërmjet NATO-s dhe Rusisë në Samitin e Kofruzit, gjatë kryesimit të saj në OSBE në 2009-ën.

Personi tjetër në foton e shpërndarë nga Kurti, është ish kryeministri i Greqisë, George A. Papandreou. sot anëtar i parlamentit grek. Papandreou është njëkohësisht edhe themeluesi i Simpoziumit Symi, aktiviteti për të cilin Kurti udhëtoi drejt Greqisë.

Postet që ai ka mbajtur në qeveri prej nisjes së karrierës politike përfshijnë atë si Ministër i Punëve të Jashtme (1999 – 2004), Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme (1996 – 1999), Ministër për Arsimin dhe Çështjet Fetare (1988-1989 dhe 1994-1996), Zëvendësministër i Kulturës (1985-1987) si dhe Zëvendësministër i Punëve të Jashtme (1993-1994).

Edhe pse këta dy politikanë karriere mund t’i duken “të parëndësishëm” Periskopit, faktet tregojnë të kundërtën. Njëkohësisht, takimi i kryeministrit Kurti me dy personazhet e politikës aktive në Greqi, njëra në krye të raportimit për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe tjetri themelues i samitit ku ai ishte ftuar të marrë pjesë për herë të 6-të, nuk mund të konsiderohet si “xhiro restorantesh me ish-politikanë pa rëndësi”.

Nisur nga këto të dhëna publike rezulton se artikulli i informacionit të shpërndarë nga Periskopi është i pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin