Maqedoni VMRO DPMNE dhe BDI nuk pajtohen rreth “desorosoizimit”

VMRO DPMNE dhe BDI nuk pajtohen rreth “desorosoizimit”

BDI nuk pajtohet me partnerin e deritanishëm të koalicionit, VMRO DPMNE kur bëhet fjalë për procesin e “desorosoizimit”, që e paralajmëroi kreu i VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski.

Nga BDI për televizionin “Alsat M” thonë se kanë bashkëpunim të mirë me sektorin joqeveritar dhe Fondacionin “Shoqëria e hapur”. Duke mos përmendur drejtpërdrejtë VMRO DPMNE-në, nga BDI thonë se organet e shtetit duhet të merrem me dyshimet eventuale nga aspekti i financimit të OJQ-ve e jo veprimtarinë e tyre”.

“OJQ-të duhet të kenë mundësitë të punojnë lirshëm. Fondacioni shoqëri e hapur gjithashtu. Organet e shtetit duhet dhe do të reagojnë vetëm në atë rast kur ka dyshime në burimet e financimit apo nëse veprimtaria e tyre është e kundërligjshme. BDI do të vazhdojë të ketë bashkëpunim korrekt me OJQ-të në vend”, thonë nga BDI.

Të pyetur cili do të ishte qëndrimi i tyre nëse VMRO DPMNE në tryezën e bisedimeve kërkon të ndërmerren masa konkrete për “desorosoizimin” e Maqedonisë, nga BDI tonë se nuk kanë të dhëna për atë se cila organizatë joqeveritare apo medium me kë është apo nga kush financohet.

Termin “desorosoizim” për herë të parë e përmendi Gruevski në “vendimin” e ashtuquajtur të cilin e publikoi në protestën para KSHZ-së më 17 dhjetor.

“Do të luftojmë për desoroizimin e Maqedonisë dhe përforcimin e sektorit të pavarur civil i nuk do të jetë nën kontrollin e askujt. Do t’i qasemi rregullimit të fushës së financimit të fondacioneve dhe OJQ-ve, sipas modelit të demokracive më të zhvilluara në botë” tha Gruevski.