Maqedoni Trupi ad-hok nuk arriti të zgjedh anëtarin e pestë para takimit të...

Trupi ad-hok nuk arriti të zgjedh anëtarin e pestë para takimit të liderëve

Katër anëtarët e trupit ad- hok për rregullimin e mediave edhe sot nuk arritën të merren vesh për anëtarin e pestë, që pritet të jetë shqiptar.

Lubomir Kostovski i emëruar nga LSDM thotë se edhe pse situata ka qenë pranë finalizimit, dikush emërimin e anëtarit të pestë dëshiron ta problematizoj.

“S’kemi marrëveshje edhe pse thuajse çdo gjë ishte kryer. U takuam sot në orën 12. Nuk kishte emër tjetër. Anëtarët e propozuar nga VMRO DPMNE nuk kishin udhëzime, për këtë takimi u ndërpre, por nëse ka nevojë do të takohemi sërish. Situata është e qartë, por dikush dëshiron këtë ta paraqes si problem” thotë Kostovski.

Cvetin Çilimanov, anëtari i propozuar nga VMRO DPMNE thotë se në takimin e sotëm nuk kanë arritur marrëveshje sepse disa anëtarë kanë këmbëngulur për kandidat të caktuar.

“Përfunduam tani për tani. Nuk kemi arritur konsensus. Unë i propozova Kostovskit nëse dëshiron aq shumë kandidati i tyre të hyjë, ai le të tërhiqet, të hyjë kandidati i tyre në vend të tij dhe më pas ne katër të ulemi dhe të merremi vesh” tha Çilimanov, i cili shtoi se anëtarët do të jenë në komunikim të vazhdueshëm.

Afati për përzgjedhjen e anëtarit të pestë të trupit ad- hok ka skaduar para një jave ndërsa katër anëtarë nuk arritën të emërojnë anëtarin e pestë as sot, para mbajtjes së takimit të liderëve ku liderët e katër partive politike duhet të vendosin nëse ka kushte për zgjedhje.