Maqedoni Profesorët mësojnë nga studentët, edhe ata themelojnë “Plenum”

Profesorët mësojnë nga studentët, edhe ata themelojnë “Plenum”

Reformat në arsimin e lartë i shtynë profesorët të ndjekin hapat e studentëve. Nesër, në ora 13, në Fakultetin filozofik në Shkup, profesorët, që firmosën letrën e hapur drejtuar Qeverisë dhe me qindra të tjerë që iu bashkëngjitën do të formojnë “Plenumin e Profesorëve”.

Sot në rrjetin e Fejsbukut doli faqja “Plenumi i Profesorëve” ku është publikuar edhe kumtesa për opinion. Në kumtesë shkruhet se plenumi është “grup joformal me qëllim të nxitjes së debatit publik, të hapur dhe informativ për reformat në arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë me pjesëmarrje të të gjitha palëve të përfshira”.

“Plenumi i Profesorëve” angazhohet për ndërprerjen e procedurave dhe miratimin e ndryshimeve të fundit në Ligjin e arsimit të lartë dhe për fillimin e debatit të mirëfilltë për ndryshimet e nevojshme në sistemin arsimor.