Maqedoni MPM ul rrogat, gazetarët protestojnë

MPM ul rrogat, gazetarët protestojnë

Një pjesë e të punësuarve në gazetat ditore “Vest”, “Dnevnik” dhe “Utrinski Vesnik” dolën në protesta. Shkak për këtë është vendimi i udhëheqësve të kompanisë pronarë i MPM t’i zvogëloj rrogat e të gjithë të punësuarve prej 10 deri 30%. Sipas përfaqësuesve sindikal, arsyetimi i pronarëve ka qenë se kriza ekonomike në shtet ka ndikuar edhe në kompaninë e tyre.

Para gazetarëve që protestuan foli kryetarja e Sindikatës së gazetarëve dhe punonjësve mediatik, Tamara Çausidis e cila theksoi se me këtë vendim në mënyrë shtesë devalvohet dhe prishet dinjiteti ekonomik, politik dhe profesional i gazetarëve në Maqedoni.

“Sot dolëm që të shprehim revoltin tonë nga vendimi për uljen e pagave, që sot në mëngjes u shpall në tabelën lajmëruese në MPM. Për një vend që me sukses e ka kaluar krizën botërore ekonomike dhe e cila siç dëgjojmë çdo ditë, është lider në avancimin ekonomik në Evropë, është e palejuar që të ulen rrogat e gazetarëve për shkaqe ekonomike” deklaroi Çausidis.