Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pritet t’u prezantohet korniza e punës për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më 8 qershor është parashikuar që Komisioni Europian të publikojë edhe strukturën për anëtarësimin e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që në RMV po diskutohet mbi një valë të dytë të pandemisë “Covid-19” si dhe mbajtjes së zgjedhjeve, Shqipëria pret “tymin e bardhë” për “Reformën Zgjedhore”.
Ndërsa në Republikën e Maqedonisë së Veriut po diskutohet mbi një valë të dytë të pandemisë “Covid-19” si dhe mbajtjen së zgjedhjeve, në Shqipëri palët politike ende s’po gjejnë gjuhën e përbashkët për Reformën Zgjedhore. Ndërkohë javën e ardhshme Këshilli i Evropës dhe komisioneri për Zgjerimin Olivér Varhelyi do të paraqesin strukturën e negociatave të dy vendeve në Këshillin Europian.
Lajmi u konfirmua edhe nga drejtoresha për Ballkanin Perëndimor për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Bisedimet e Zgjerimit në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera.
“Po me të vërtetë, ne jemi duke punuar në detajet e fundit të këtyre dokumenteve të rëndësishme që përcaktojnë kornizën në të cilën do të zhvillohen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për pranimin në Bashkimin Evropian.”-shprehet Calavera, e cila është edhe drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Pas zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, më 31 maj, kryeministri i RMV-së, Oliver Spasovski argumentoi se 5 Korriku mund të jetë data e zhvillimit të zgjedhjeve të reja.
Por situata e ditëve të fundit me shtimin e rasteve pozitive me koronavirus si pasojë e pandemisë “Covid-19”, mund të ndryshojë planet për zgjedhjet e reja.
Komisioneri për Zgjerimin Olivér Varhelyi, përmes një postimi në Twitter të martën kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të cilat të garantojnë votën e lirë dhe shëndetin e qytetarëve.
“Referuar deklaratave për zhvillimin e zgjedhjeve në fillimin e muajit korrik, e rëndësishme është që ato të jenë të lira dhe të ndershme si dhe që partive politike t’u jepet koha e nevojshme për zhvillimin e fushatave elektorale. Duhet të shihet se si mund të realizohen, duke pasur parasysh “Covid-19”, shkruan Varhelyi.
Ndërkohë që në Shqipëri, edhe pas skadimit të afatit të 31 majit për miratimin e Reformës Zgjedhore, palët politike ende nuk e kanë gjetur dakordësinë.
Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetin social të mërkurën nxiti palët për gjetjen e një konsensusi.
“Mesazhi i djeshëm i Bashkimit Europian është i qartë, zbatimi i kushteve fillon me konsensusin për reformën zgjedhore. 8 qershori po afron! Komisioni Europian mezi po pret të shënojë një lajm pozitiv për Shqipërinë!”, shkruan Meta.
E ndërkohë që nuk dihet ende “fati” i pandemisë “Covid-19”, zgjedhjeve të reja në RMV apo Reformës Zgjedhore në Shqipëri, 8 qershori duket se i ka gjetur dy vendet aspiruese në BE ende në dilema për çështje kyçe.