Maqedoni KSHZ e refuzoi ankesën e fundit të LSDM-së

KSHZ e refuzoi ankesën e fundit të LSDM-së

Me katër vota “Për”, katër “Kundër” dhe një të përmbajtur, KSHZ mbrëmë e refuzoi ankesën e LSDM-së për vendvotimin 2011 në Tearcë në njësinë e gjashtë zgjedhore. Për këtë vendim nuk votoi përfaqësuesi i BDI-së në KSHZ, Subhi Jakupi, i cili paraprakisht tha se ekspertët duhet të vendosin për vendimin e fundit dhe ai u tërhoq nga votimi.

Sipas Kodit zgjedhor, vendimi i KSHZ-së konsiderohet i miratuar nëse për të votojnë shumica e anëtarëve të komisionit.

Ankesa e LSDM-së kishte të bëjë me atë që në këtë vendvotim, në fillim të votimit ishte konstatuar se mungon një fletëvotim, i cili në fund gjatë numërimit është gjetur në kutinë e votimit.

Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja në KSHZ dorëzoi gjithsej 8 ankesa për rrjedhën e procesit zgjedhor, por dje para fillimit të seancës së KSHZ-së, u tërhoqën dy ankesa.

Pesë ankesat tjera të LSDM-së u refuzuan.

Në ditët e kaluara KSHZ pranoi vetëm një ankesë të lëvizjes Besa dhe ka anuluar votimin në një vendvotim në Gostivar.