Maqedoni Kozias- Nimic: Masat greke dhe ato maqedonase për ndërtimin e besimit kanë...

Kozias- Nimic: Masat greke dhe ato maqedonase për ndërtimin e besimit kanë ngjashmëri

Lista maqedonase dhe greke me propozim- masat për ndërtimin e besimit kanë pika dhe ide të përbashkëta. Këtë e deklaroi shefi i diplomacisë greke, Nikos Kozias pas takimeve të tija me sekretarin e përgjithshëm të KBE-së, Ban Ki Mun dhe ndërmjetësin për emrin, Metju Nimic në Nju Jork. Kozias ka shprehur vullnetin e palës greke për vazhdimin e bisedimeve, por ka vërejtur se pas problemit me emrin fshihen tendenca irredentiste nga pala maqedonase.

Siç theksoi Kozias, me Nimicin është biseduar rreth zhvillimit të bisedimeve për kontestin me emrin. Shefi i diplomacisë greke e ka njoftuar ndërmjetësin për momentin e ri gjegjësisht bisedimet mes dy qeverive për miratimin potencial të masave për ndërtimin e besimit.

Kozias shtoi se ditëve të fundit i kanë shqyrtuar propozime maqedonase dhe kanë vërejtur se në listën e qeverisë maqedonase ka pika të përbashkëta dhe propozime me listën e sugjerimeve të palës greke. Kozias përkujtoi se për herë të parë me ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Poposki kanë biseduar për masat në takimin në Riga, duke shtuar se në takimin e radhës në Bukuresht janë këmbyer listat e propozimeve mes dy vendeve.

“Para një muaji në Riga u takova me ministrin e jashtëm të FYROM-it, i cili ka emër të ngjashëm me mua, Nikolla, do të thotë Nokos dhe i propozova të bisedojmë për masat e ndërtimit të besimit. Nuk kishte menjëherë përgjigje, por qeveria e shtetit fqinj u pajtua për bisedimin e këtillë. Në Budapest këmbyem katalogë me pikat e ndërtimit të besimit dhe siç analizuam këto ditë, ka ngjashmëri për disa pika të caktuara”, theksoi shefi i diplomacisë greke.

Kozias ka riafirmuar vullnetin dhe interesin e qeverisë greke që të vazhdohet dialogu për zgjidhjen e kontestit me emrin, por i ka përmendur Nimicit se duhet ta ketë parasysh faktin se pas çështjes së emrit fshihet lloj konkret i irredentizmit, që vështirëson atë që e dëshiron qeveria greke gjegjësisht ripërtëritjen e marrëdhënieve të mira mes dy palëve.

Kontesti me emrin është përmendur shumë shkurtë në bisedën me Ban Ki Mun. Kozias ka vërejtur se nga pak ka biseduar me sekretarin e përgjithshëm për Maqedoni, duke shtuar se supozon që Nimic tanimë e ka informuar për pozicionet greke. Kozias dhe Ki Mun kanë biseduar për çështjen e Qipros ndërsa kryesisht kanë analizuar situatën me krizën e re të emigrantëve në BE.