Maqedoni Jolevski : NATO nuk ka kërkuar vendosjen e mburojës raketore në Maqedoni

Jolevski : NATO nuk ka kërkuar vendosjen e mburojës raketore në Maqedoni

Aleanca veri- atlantike deri më tani nuk ka kërkuar nga Maqedonia në territorin e saj të vendosen instilacione për mbrojtje raketore, deklaroi ministri i mbrojtjes, Zoran Jolevski, në intervistë për Radion Maqedonase “Radio Shkupi”.

-Deri më tani nuk ka kurrfarë kërkesa nga Aleanca e NATO-s për vendosjen e instilacioneve për mbrojtje raketore në territorin e Republikës së Maqedonisë.  Është e rëndësishme këtu të theksohet se Republika e Maqedonisë ardhmërinë e vet e sheh si anëtare në integrimet euro- atlantike, si anëtare e NATO-s dhe BE-së. Ne vazhdojmë me përpjekjet dhe prezantimin e asaj që është arritur, të reformave me qëllim që sa më shpejtë të bëhemi anëtarë të këtyre strukturave- tha mes tjerash Jolevski në intervistë, në suazat e krizës në Ukrainë.

Ministri i mbrojtjes gjithashtu theksoi se Maqedonia, si shtet sovran, paralelisht e zhvillon bashkëpunimin edhe me vende tjera ku ekziston interes i përbashkët për bashkëpunim dypalësh edhe atë jo vetëm me Federatën Ruse dhe Ukrainën, por edhe me Republikën Popullore të Kinës dhe Poloninë.

-Unë disa herë kam theksuar dhe bashkëbiseduesit e mi janë pajtuar se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në NATO përveç përforcimit të stabilitetit në vend, do të sjell edhe përforcimin e stabilitetit edhe në rajon dhe Evropë- deklaroi Jolevski.