Korrespondentë Jelovjani nuk e jep burimin e fundit të ujit

Jelovjani nuk e jep burimin e fundit të ujit

Me mburojë të gjallë, fshatarët e f. Jelovjan do të mbrojnë burimin e fundit, prej të cilit fshati furnizohet me ujë për pije. Sipas bashkësisë lokale të këtij fshati, komuna e Bogovinës në mënyrë joligjore përmes projektit për sistem të ri të ujësjellësit, dëshiron ujin nga burimi i vetëm i tokës së tyre, ta ridestinoj drejt fshatrave tjera.

“Me këtë do të ngelim pa pikë ujë për pije, trojet dhe arrat do të thahen dhe rrugëdalja e vetme do të jetë të shpërngulemi nga fshati, i cili mbijeton nga blegtoria dhe bujqësia- thonë banorët e f. Jelovjan.

Sipas tyre, bashkësia lokale nga Bogovina me këmbëngulje insiston t’ua merr edhe pikën e fundit të ujit.

“Më herët nga toka jonë na morën 13 burime, tani duan edhe burimin e fundit- deklaroi kryetari i BL nga f. Jelovjan.

Banorët e këtij fshati këtë e konsiderojnë si presion që të largohen prej atje.

“Pasi më herët na morën numër të madh të burimeve, për nevojat e fshatrave tjerë, mbi 100 hektarë tokë pjellore u tha dhe tani s’mund ta përdorim sepse s’kemi ujë. Për këtë shkak u zvogëlua edhe fondi blegtor- tha Nexhat Fejzullahi, banor i f. Jelovjan.

Ai shton se uji nga burimi nuk do të përdoret për pije, por për nevojat e fabrikës për ambalazhim të ujit, që pritet të ndërtohet.

“Ne do të vdesim prej etjes e dikush do të pasurohet” deklaroi Fejzullahi.

Kryetari i komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi tha se burimet me ujë të Malit Sharr iu takojnë të gjithë banorëve të komunës së Bogovinës dhe nuk janë pronësi e fshatit Jelovjan. Ai konfirmon se projekti i sistemit të ri të ujësjellësit nuk do të dëmtoj fshatin Jelovjan.

“Burimet me ujë përdoren në mënyrë të barabartë për të gjithë fshatrat që kanë nevojë dhe ky është qëndrimi i komunës” tha Idrizi.

Z.D