Bota Ballkan I paprovuar inskenimi i gjakosjes së doktorit ukrainas

I paprovuar inskenimi i gjakosjes së doktorit ukrainas

Pretendimi: Kjo video tregon një oficer policie ukrainas që lyen me gjak të rremë rrobat e mjekut që u shfaq në gërmadhat e spitalit të fëmijëve në Kiev.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon një video që duket se tregon një person të veshur me uniformë policie duke lyer me bojë të kuqe rrobat e bardha të një personi tjetër. Video po shpërndahet me pretendimin se kjo tregon se plagosjet e shkaktuara nga bombardimi i një spitali fëmijësh në Kiev janë të inskenuara.

Spitali i Fëmijëve Okhmatdyt u godit nga një raketë në 8 korrik 2024.

Siç kanë vërejtur edhe përdoruesit e rrjeteve sociale, veshja e personit me të bardhë nuk përkon në disa detaje me veshjen e mjekut në fotot nga Okhmatdyt. Ai nuk ka xhepa, ndërsa doktori ka, dhe mban veshur atlete ndërsa doktori ka veshur sandale Crocs.

Qendra ukrainase për Luftën kundër Dezinformimit (CCD) ka përgënjeshtruar videon e mësipërme. “Pasi verifikuam informacionin me Policinë, Qendra njofton se kjo video është inskenuar nga propagandistët rusë,” tha CDC.

Sipas analizës së CDC, uniforma dhe këpucët e veshura nga “oficeri i policisë” dhe “doktori” janë krejtësisht të pastra, ndërsa kushdo që po punonte në vendngjarje i kishte rrobat e mbuluara me pluhur.

Së dyti, në video, “oficeri i policisë” nuk ka pajimet – armë, këllëf, radio, çantë e ndihmës së parë etj – apo mbulesë helmete dhe vendosja e simbolit të Policisë Kombëtare nuk është në përputhje me rregulloret e uniformave.

Analiza i kushtoi vëmendje edhe këpucëve. “Oficeri” ka veshur çizme. Megjithatë, policia ukrainase ka kohë që vesh atlete speciale.

Ndërkaq, “flokët e ‘doktorit’ në videon e propagandistëve rusë duken si një parukë nga të gjitha treguesit pamorë. Materialet e rrobave në realitet dhe në video janë krejtësisht të ndryshme. Përveç kësaj, uniforma e një mjeku të vërtetë ka një tegel horizontal në anën e pasme, ndërsa uniforma e aktorit rus jo”, tha CCD.