Maqedoni Han: Kërkojmë zgjidhje për të mirën e shtetit tuaj

Han: Kërkojmë zgjidhje për të mirën e shtetit tuaj

Komisioneri Evropian Johanes Han më herët takoi edhe liderin e opozitës Zoran Zaev, për të dëgjuar argumentet e tij rreth situatës aktuale. Zaev ka siguruar Han se do të vijoj procesin e publikimit të gjitha aferave korruptive dhe kriminale të qeverisë.

“Skandali i përgjimit të 20 mijë qytetarëve dhe ndërhyrja e qeverisë në funksionimin e Prokurorisë Publike, gjykatave, kurdisja e proceseve gjyqësore, janë një pjesë e vogël e dëshmive që i posedojmë për shkatërrimin e rendit kushtetues të Maqedonisë nga ana e Nikolla Gruevskit, dhe disa bashkëpunëtorëve të tij”, ka theksuar Zaev në takimin me komisionerin Han. Ndërkohë që Han pas takimit me liderin e opozitës shkurt tha se po përpiqet të gjejë zgjidhje politike që do të jetë në interes të shtetit, por pa dashur ta bënte publike.

Në agjendën e ngjeshur të komisionarit Han, ishin edhe takimet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, me Presidentin Ivanov, zv/kryeministrin Fatmir Besimi si dhe kreun e parlamentit Trajko Veljanovski. Ivanov në takimin me Han ka theksuar se mbështet procesin e zbulimit të aktiviteteve që janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet dhe sanksionimin e autorëve të veprave penale. Ndërkohë që në takimin me Veljanovskin, siç kumtojën nga kabineti tij, Han ka theksuar se edhe deputetët evropianë janë të gatshëm t’i ndihmojnë kolegët e tyre maqedonas për kapërcimin e situatës aktuale. Nga ana tjetër në takimin mes zv/kryeministrit Fatmir Besimi dhe komisionarit Han në qendër të bisedës kanë qenë liria e mediave, gjyqësia, lufta kundër krimin dhe korrupsionit si dhe marrëdhëniet ndëretnike.