Bota Ballkan Greqi : Më pak festa, më shumë politikë

Greqi : Më pak festa, më shumë politikë

Në Greqi vazhdon pasiguria politike dhe brenga në radhët e qeverisë për votimin e tretë për president shteti. Festat e fundvitit për qeverinë greke janë duke kaluar me bisedime sekrete, lobi dhe përpjekje që të merren votat nga deputetët e pavarur dhe deputetët e partive opozitare, siç është Grekët e Pavarur dhe E majta Demokratike.

Çdo gjë do të zgjidhet të hënën, për kur edhe është caktuar votimi. Spekulimet thonë se matematikat e Qeverisë assesi nuk çojnë tek numri 180 i deputetëve, që nevojiten që Stavros Dimas të votohet për president. Ekziston shpresë se në votimin e tretë do të tejkalohet shifra prej 168 deputetë, të cilët në raundin e dytë mbështetën Dimasin, por tani për tani nga asnjëra palë nuk dëgjohet as siguri e as garanci se Dimas do të votohet. Përkundrazi, si më të sigurt përmenden skenarët për zgjedhje në fund të janarit ose fillimin e shkurtit.

Gjatë fundjavës, pritet fjalimi i ri i kryeministrit Andonis Samaras para opinionit dhe deputetëve. Kjo do të jetë përpjekja e tij  fundit që ta mbaj qeverinë në pushtet dhe të bind 12 deputet që ta mbështesin Dimasin që të evitohen zgjedhjet.

Klimën e ndarjes politikën edhe më shumë e përforcojnë spekulimet se ish kryeministri Jorgos Papandreus të hënën, nëse ndodh fiasko me Dimasin, do të njoftojë se largohet nga PASOK-u dhe do të formojë parti të re. Hapi i tillë do të nënkuptonte thellim të dështimit që e ndjek PASOK-u. Nga Partia socialiste apelojnë deri tek Papandreu të mendoj mirë para se ta ndajë partinë, duke e kritikuar se hapi i tillë do të jetë përdhosje e punës së familjes së tij, të Andras Papandreut si themelues i partisë.

Sipas sondazheve të mendimit publik, qytetarëve janë të ndarë në qëndrime se a duhet të zgjidhet Dimas apo të shpallen zgjedhje të reja. Rezultatet nga anketa për televizionin “Alfa” tregojnë se 57% e të anketuarve nuk duan zgjedhje për momentin. SIRIZA edhe më tej prin me 3,5% para Demokracisë së Re.

M.P.