Maqedoni Filloi votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Filloi votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

 

Sot në Maqedoni mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, në të cilat, të drejtë vote kanë 1. 784. 416 qytetarë që janë të regjistruar në listën e zgjedhësve.

Zgjedhjet mbahen në 3. 480 vendvotime në gjashtë njësi zgjedhore.

Numri i përgjithshëm i votuesve nëpër njësi zgjedhore është si në vijim:

– NJZ 1: 295.948

– NJZ 2: 306.471

– NJZ 3: 280.727

– NJZ 4: 282.537

– NJZ 5: 290.433

– NJZ 6: 307.817

Vendet e votimit duhet të hapen saktë në ora shtatë, ndërsa mbyllen në ora 19:00.

Përveç letërnjoftimit të vlefshëm dhe pasaportës, për votime nuk pranohen dokumente tjera si leja e vozitjes, libreza e shëndetësisë, libreza e nxënësve apo studentëve.

Për herë të parë në këto zgjedhje, në regjistrin e votuesve do të ketë edhe fotografi të votuesve. Fotografitë personale do të jenë në formë njëjtë si në letërnjoftim ose pasaportë.

Nëse votuesi nuk gjendet në regjistrin e votuesve, anëtarët e këshillit zgjedhor kanë për obligim atë ta udhëzojnë në njësinë rajonale të KSHZ-së dhe ta vizitojë faqen e internetit https://izbirackispsiok.gov.mk/ për të kontrolluar nëse ai është shënuar në listën e zgjedhësve, dhe nëse është, në cilin vendvotim mund të votojë.

Këto janë zgjedhjet e nënta parlamentare në Maqedoni në të cilat marrin pjesë gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista të kandidatëve.