Maqedoni Dimitriev për Ramën: Po ndizni zjarrin e nacionalizmit në mënyrë jokorrekte

Dimitriev për Ramën: Po ndizni zjarrin e nacionalizmit në mënyrë jokorrekte

Përzierja e vazhdueshme në çështjet e brendshme të R. së Maqedonisë i bën dëm të madh marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe është në kundërshtim me vlerat evropiane, i është përgjigjur në Facebook kryeministri teknik Emil Dimitriev kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

“Përzierja nuk i ndihmon Shqipërisë ku qytetarët presin prej jush të punoni lidhur me dobësitë në sundim dhe ekonomi, por nuk i ndihmon as Maqedonisë ku qytetarët duan vend sovran dhe të pavarur në kufijtë ekzistues. Këta qytetarë paguajnë çmimin e ambicieve tuaja për ridefinimin e Maqedonisë, në vend që të reformoni Shqipërinë në kufijtë ekzistues. Nuk i ndihmon as partive të Maqedonisë ndaj të cilave silleni në mënyrë patronazhi dhe nënçmuese. Jam i bindur se edhe pa përzierjen tuaj do të gjejmë zgjidhje për sfidat tona. Për fund, është shumë jokorrekte që të ndizni zjarrin e nacionalizmit”, ka thënë Dimitriev.

Kryeministri teknik i emëruar sipas Marrëveshjes së Përzhinës, thotë se gjuha shqipe është e përfaqësuar gjerësisht në Maqedoni dhe se shteti angazhon resurse të mëdha për promovimin e gjuhës dhe kulturës së komuniteteve.

Dimitriev shton se qytetarët e Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnik dhe fetare, vet kanë tejkaluar shumë kriza gjatë historisë dhe se do ta kalojnë edhe këtë.