Maqedoni Dhuna në Parlament, lëndohen Zaev dhe deputetë tjerë të LSDM-së

Dhuna në Parlament, lëndohen Zaev dhe deputetë tjerë të LSDM-së

Kaos dhe atmosferë me tension po mbizotëron në Kuvend pasi protestuesit e nismës “Për Maqedoni të Përbashkët” kanë pushtuar parlamentin.

Ka informacione se një pjesë e deputetëve janë rrahur dhe lënduar, me fytyra të gjakosura, mes të cilëve edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Protestuesit gjenden në korridoret e kuvendit.

Ata gjithashtu janë futur edhe në sallën plenare duke brohoritur “zgjedhje” dhe duke kënduar këngë patriotike. Ata kanë arritur të futen në pres- qendrën e Kuvendit, ku gjendet gazetarët dhe një pjesë e deputetëve. Në mesin e protestuesve ka persona me maska të zeza në fytyrë.

Në Kuvend nuk vërehet prezencë e shumë policëve.

Zaev nga Kuvendi, që është pushtuar nga nisma “Për Maqedoni të Përbashkët”, tha se është i bindur se MPB nuk do të lejojë përshkallëzim të situatës dhe se do të pengoj incidente të mëdha.

“Jam i bindur se MPB do ta kryej punën e saj. I bëj thirrje popullit të qëndroj i qetë dhe besoj se kjo së shpejti do të mbaroj. Na u tha nga ministri i brendshëm se po merren masa. Koha dhe dëshmitë do të tregojnë ç’ka ndodhur dhe si njerëzit janë futur në Kuvend”, tha Zaev.