Maqedoni Protestuesit porositën : Nuk do të ndalojmë derisa të largohet qeveria e...

Protestuesit porositën : Nuk do të ndalojmë derisa të largohet qeveria e Gruevskit

Me fishkëllima dhe parulla “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, “Është fundi”, “Poshtë diktaturë”, “Nikollçe diktator i vogël”, “Së bashku jemi më të fortë”, disa qindra qytetarë edhe sot dolën në protestë të qetë, ku sërish kërkuan dorëheqje kolektive nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe qeveria e tij.

Protestat të cilat tanimë hyn në javën e dytë, filluan në udhëkryqin para godinës së Qeverisë. Pasi policia pengoi të arrijnë para qeverisë, protestuesit u drejtuan në Gjykatën themelore Shkupi 1.

Duke lëvizur me transparentin “Lamtumirë Nikolla” nëpër bulevardin “Aradhat partizane” protestuesit brohoritnin “Dorëheqje, dorëheqje” ndërsa para gjykatës kërkuan lirimin e studentëve të arrestuar.

“Nuk jemi rastësisht para gjykatës. Nuk i kemi harruar miqtë tanë, të burgosurit politik. Nuk do të tërhiqemi derisa të lirohen” tha para masës së tubuar Dejan Lutovski nga shoqata “Lenka”.

Pas pakënaqësisë së shprehur, protestuesit qetë u drejtuan drejt Kuvendit ku tek gardhet mbrojtëse i vendosën transparentet “Lamtumirë Nikolla” dhe “Protestoj” duke brohoritur “Mjaft më”, “Dorëheqje” kërkuan Gruevski dhe qeveria të largohen.

“Pse nuk heqim dorë? Sepse tre dorëheqje nuk mjaftojnë. Sepse Gruevski i ka lëshuar rrënjët thellë në këto institucione. Asgjë nuk është as presidenti i shtetit. Asgjë nuk bën pa i thënë Gruevski. Gruevski kontrollon edhe gjykatën. Nuk bëjnë asgjë pa ju thënë shefi. Kush ka dëgjuar për Komisionin e anti- korrupsionit? Anti- korrupsion, çfarë bëjmë me Mercedesin? Populli s’ka bukë ndërsa ai vozitet me makinë prej 600 mijë euro. Çfarë sindikalisti është Zhivko Mitrevski? Sipas qejfit të diktatorit. E mbron pushtetin nga punëtorët. Lufta jonë vazhdon deri në dorëheqjen e Nikolla Gruevskit” porositi para Kuvendit, Zdravko Saveski nga shoqata “Solidariteti”.

Meriglen Demiri nga “Solidariteti” i porositi të gjithëve që do të vijnë në pushtet se “do ta hanë nëse tentojnë t’i korruptojnë institucionet”. Ai në fillim u drejtua në gjuhën maqedonase dhe iu bëri thirrje qytetarët shqiptarë që t’i bashkëngjiten protestave sepse po i përjetojnë padrejtësisë e njëjta. Demiri, të njëjtën e tha edhe në gjuhën shqipe duke iu drejtuar komuniteteve tjera që t’i bashkëngjiten protestës. Pas fjalimit të tij dëgjoheshin brohoritjet “Së bashku jemi më të fuqishëm”.