Maqedoni Dallime diametrale në anketat rreth mbështetjes së PSP dhe për Katica Janevën

Dallime diametrale në anketat rreth mbështetjes së PSP dhe për Katica Janevën

Anketat e bëra prej disa agjencive për hulumtimin e mendimit publik tregojnë dallime diametralisht të kundërta në raport me rejtingun dhe besimin që Prokuroria Speciale Publike dhe prokurorja Katica Janeva e kanë te qytetarët.

Anketa më e re e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) me seli në Uashington tregon se 63 për qind e të anketuarve e mbështesin punën e Prokurorisë Speciale Publike që i heton rastet që rezultuan nga skandali me përgjimin.

Para thuajse një muaji, më 12 maj, instituti „Pavell Shatev“ publikoi një anketë rezultatet e së cilës tregojnë se 60 për qind e të anketuarve nuk kanë besim në Katica Janevën dhe në PSP-në, ndërkaq 25,2 për qind kanë besim në këtë institucion.

Instituti i njëjtë, më 18 mars publikoi një anketë, sipas të cilës, në Katica Janevën dhe në Prokurorinë Speciale Publike nuk kanë besim 64,3 për qind e të anketuarve, 23,4 për qind kanë besim, derisa 12,3 për qind kanë qenë pa përgjigje.

Agjencia për hulumtimin e mendimit publik, „Brima Gallup“, për nevojat e portalit “Republika”, më 12 shkurt publikoi anketë rezultatet e të cilave tregojnë se madje 50 për qind e qytetarëve nuk kanë besim në Katica Janeva, për dallim prej 32,4 për që mendojnë të kundërtën.