Ekonomi Bllokohen sistemet e DAP-it, ka probleme në lëshimin e rrogave dhe paraqitjeve...

Bllokohen sistemet e DAP-it, ka probleme në lëshimin e rrogave dhe paraqitjeve të tatimit

Sistemi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) për dorëzimin e paraqitjeve vjetore tatimore, por edhe sistemi përmes të cilit kryhet pranimi i deklaratave për rroga nuk funksion tashmë disa ditë, alarmojnë kontabilistët.

Për shkak të këtij problemi, ata s’mund ta respektojnë afatin (25 janar) për dorëzimin e paraqitjeve vjetore të tatimit ndërsa s’mund t’i paguajnë rrogat sepse deklarata për rroga fillimisht kalon përmes DAP-it.

“Çdo vit në këtë periudhë u ndodh kolaps në sistemin për dorëzimin e paraqitjeve elektronike tatimore, por këtë vit është kulmi. Nga DAP nuk ka njoftim zyrtar se nuk do të ketë gjoba nëse nuk respektohet afati për dorëzimin e paraqitjeve për tatimin vjetor. Vetëm gojarisht njoftojnë se nuk do të ketë gjoba dhe të përpiqemi t’i dorëzojnë paraqitjet. Edhe pse sistemi për paraqitje tatimore dhe sistemi i rrogave nuk lidhen mes vete, megjithatë edhe ky sistem për rroga që e kanë tani gjegjësisht për pranimin e deklaratave, nuk u funksionon” thonë nga byroja e kontabilitetit për “Meta”.

Institutit i kontabilistëve dhe kontabilistë të autorizuar (IKKA) njoftoi se sistemi i DAP-it për dorëzimin e paraqitjeve tatimore dhe raporteve vjetore është bllokuar si pasojë e përdorimit masovik në këtë periudhë të vitit.

Prej atje i kanë njoftuar kontabilistët se për shkak të këtij problemi, vonimi i dorëzimit të paraqitjeve nuk do të paraqet shkelje.