Maqedoni Besimi me Vajgëllin bisedoi për eurintegrimet

Besimi me Vajgëllin bisedoi për eurintegrimet

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane Dr. Fatmir Besimi, sot në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane, realizoi takim pune me Raportuesin për Republikën e Maqedonisë në Parlamentin Evropian, z. Ivo Vajgëll.

Eurodeputeti Vajgëll, theksoi gatishmërinë e tij për mundësimin e kontributit të mëtejmë për përkrahje të bashkëpunimit dhe për procesin e reformave në vendin tonë, në aspekt të angazhimit të tij personal, dhe në aspekt të Parlamentit Evropian. Ai gjithashtu theksoi edhe nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së arritur politike.

Në pikëpamjen e krizës së emigrantëve u theksua se Qeveria ndërmerr masa aktive për zgjedhjen e çështjes rreth numrit të rritur të emigrantëve të cilët kryesisht vijnë nga Greqia, duke përfshirë këtu kontroll të kufijve, sigurim të kujdesit shëndetësor, përmirësim të kushteve në mjediset e strehimit. Megjithatë, Republika e Maqedonisë nuk ka kapacitet të pavarur të përballet me këtë proces të përmasave globale dhe për këtë arsye nevojitet përkrahja e vazhdueshme dhe ndihma e drejtpërdrejtë nga BE-ja – theksoi Besimi.

Në fund, bashkëbiseduesit theksuan se bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Parlamentit Evropian, ashtu si deri më tani, do të vazhdojë me dinamikë të fuqishme dhe me qasje e mbështetje të përbashkët në përmirësimin e gjendjes dhe realizimin e mëtejmë të reformave në çdo sferë shoqërore.