Maqedoni ARM filloi vendosjen e gardhit në kotën 59 në kufirin me Greqinë

ARM filloi vendosjen e gardhit në kotën 59 në kufirin me Greqinë

ARM sot në mëngjes filloi vendosjen e gardhit nga ana e majtë dhe e djathtë në kotën 59 të kufirit maqedono-grek, konfirmoi për “Meta” zëdhënësi i ARM-së, koloneli Toni Janevski.

Ushtria maqedonase ka nisur ndërtimin e një barriere mbrojtëse me tela pranë kufirit me Greqinë. Një masë e tillë sigurie është ndërmarrë për të evituar kalimin e emigrantëve që kërkojnë azil për arsye ekonomike, pas udhëzimeve të ardhura nga Bashkimi Europian. Gjatë ditëve të fundit, situata ka marrë përmasa kritike, teksa azil-kërkuesit kanë tentuar të kalojnë me forcë kufirin, por janë ndalur nga policia vendase.

Ushtarët janë parë të sjellin materialet e nevojshme teksa puntorët e specializuar kanë nisur ndërtimin e barrierave që janë të ngjashme me ato që u ngritën në kufirin serbo-hungarez. Zëdhënësi i qeverisë maqedonase, Aleksandar Gjorgiev, tha se masa e re e sigurisë nuk do të ndikojë në kalimin e emigrantëve që vijnë nga vende e luftës. Ai u shpreh se azilkëruesit nga Siria, Afganistani dhe Iraku, do të vazhdojnë normalisht rrugën e tyre drejt Europës Perëndimore.

“ARM është e obliguar të vendos gardh, shtylla dhe tela si pjesë e aktiviteteve taktiko- teknike, në bazë të vendimit të miratuar nga Këshilli i sigurisë” deklaroi Janevski për “Meta”.

Nga ARM paralajmëruan se gjatë ditës do të dërgojnë edhe njoftim zyrtar në lidhje me vendosjen e gardhit.

Në ndërkohë, nga Qeveria njoftuan se vendimi për masat që merren në kufirin jugor, përfshirë edhe gardhin janë miratuar në seancën e djeshme të Komitetit drejtues për menaxhim me gjendjen e refugjatëve.

“Komiteti drejtues për menaxhim me gjendjen e refugjatëve në seancën e djeshme vendosi që të operacionalizohen konkluzionet nga Këshilli nacional për siguri dhe në kufirin jugor me Greqinë të ndërmerren të gjitha masat taktiko- teknike për drejtimin e fluksit të refugjatëve drejt pikave kontrolluese për shkak të regjistrimit dhe trajtimit njerëzor.  Kjo do të thotë se do të merren të gjitha hapat për kanalizimin e fluksit me refugjatët” thonë nga Qeveria.

Prej atje potencojnë se “kufiri do të ngel i hapur” dhe se do të lëshohen vetëm ato refugjatë në vendet e të cilëve ka luftë.

“Maqedonia me këtë iu ndihmon emigrantëve, por edhe Evropës në organizimin më të mirë dhe kanalizimin e tyre në forma të ndryshme në organizimin e rutë me rritje shtesë të sigurisë nëpër vende, por edhe të refugjatëve, trajtim njerëzor me qëllim që të minimizohen rreziqet e sigurisë” shtojnë nga Qeveria.