Maqedoni Zhernovski në takim me Bejlin: Kriza politike të zgjidhet me prokuror të...

Zhernovski në takim me Bejlin: Kriza politike të zgjidhet me prokuror të pavarur publik

Hapi i parë që të zgjidhet kriza politike mund të jetë emërimi i ndonjë personi i cili do të jetë prokuror i pavarur publik në Maqedoni, tha kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski pas takimit me ambasadorin e SHBA-ve, Xhes Bejli.

-Po hyjmë të gjithë, edhe faktori vendor edhe ai i jashtëm, në një fazë të ndjeshme në të cilën patjetër duhet të gjinden zgjidhje për këtë krizë të thellë politike dhe patjetër duhet të ulemi në tavolinë që të diskutojmë. Hapi i parë është shumë i rëndësishëm, do të mund të jetë emërimi i një personi i cili do të jetë prokuror i pavarur publik në Maqedoni. Jam i sigurt se ka mbështetje për këtë ide ndërsa i tërë procesi mund të mbikëqyret nga jashtë që qytetarët të kenë përshtypje se i tëri procesi do të jetë korrekt dhe jam optimist i madh se po mendohet në këtë drejtim dhe se mund të gjejmë zgjidhje- deklaroi Zhernovski.

Ai vlerëson se nuk do të ishte mirë prokurori të jetë nga jashtë sepse në këtë mënyrë nuk mund të kthehet besimi në institucionet.

-Kuptoj se do të jetë shumë vështirë që të gjendet personi i tillë tek ne në shtet dhe i cili do të ketë besim tek të gjithë faktorët, por patjetër duhet ta gjejmë, ekzistojnë njerëzit e tillë. Nuk guxojmë ne si opozitë të dalim me qëndrim se askush nuk është i denjë. Duhet të arrijmë deri tek ky person dhe ai të ketë mbështetje dhe situatë të hapur se mund të punoj ndershëm dhe si i pavarur- thotë Zhernovski.

Ai gjithashtu shtoi se me ambasadorin Bejli kanë biseduar edhe për propozimin e Zoran Zaevit për qeveri kalimtare dhe tha se në këtë drejtim po mendohet, por se do të ishte korrekte ai ta jep përgjigjen e tij.