Maqedoni Zgjedhjet e parakohshme më 11 dhjetor, qeveria e parakohshme të premten

Zgjedhjet e parakohshme më 11 dhjetor, qeveria e parakohshme të premten

Liderët e katërve partive politike në vend arritën marrëveshje që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 11 dhjetor. Liderët të kënaqur nga plotësimi i kushteve thonë se rrethanat për zgjedhje korrekte dhe të lira janë përmbushur. Të kënaqur nga marrëveshja janë edhe përfaqësuesit e huaj gjegjësisht ambasadori amerikan në vend Xhes Bejli dhe përfaqësuesi i BE-së, Lukash Holub.

Gruevski, Zaev, Ahmeti dhe Thaçi i vendosën firmat e tyre në deklaratën e përbashkët për datën e zgjedhjeve, vendimet për redaktorin e redaksisë informative të RTVM-së, anëtarin e pestë të trupit ad-hok si dhe metodologjinë e Agjencisë për shërbime audio dhe audio- vizuale.

Sipas Marrëveshjes, Qeveria e cila do t’i organizoj zgjedhjet do të emërohet më 2 shtator gjegjësisht të premten këtë javë ndërsa ditën e njëjtë me punë pritet të filloj kryeredaktorja e redaksisë informative të TVM-së, Santa Argirova dhe trupi ad-hok për ndjekjen e punës së mediave gjatë zgjedhjeve.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se liderët e partive “obligohen për fushatë demokratike dhe korrekte, pa dhunë, frikësime dhe do ta dënojnë gjuhën e urrejtjes dhe çfarëdo veprimi që shkakton dhunë apo frikësim”.